Alarm në Urgjencën e Elbasanit/ Festat “shpërthejnë” spitalin, mbi 300 pacientë në vetëm 24 orë

Data

Festat e fundvitit kanë sjellë një mbingarkesë alarmante në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Elbasanit, ku brenda vetëm 24 orëve janë paraqitur mbi 300 pacientë, një shifër që tejkalon ndjeshëm kapacitetin normal të shërbimit.

Rritja e fluksit lidhet kryesisht me aksidentet rrugore, konsumimin e tepruar të alkoolit, problemet kardiake dhe dëmtimet e shkaktuara nga fishekzjarret. Mjekët bëjnë me dije se shumë raste vijnë si pasojë e drejtimit të automjeteve nën efektin e alkoolit, duke e kthyer festën familjare në situata dramatike.

Sipas stafit mjekësor, çdo vit gjatë kësaj periudhe regjistrohen aksidente të shumta, përfshirë edhe raste fatale. Urgjenca përballet gjithashtu me rritje të ndjeshme të rasteve kardiake, veçanërisht tek të moshuarit, ku edhe sasi të vogla alkooli apo teprimi me ushqimin mund të sjellin pasoja serioze shëndetësore.

Në rrezik janë edhe fëmijët, kryesisht nga përdorimi i pakujdesshëm i fishekzjarreve, që në vitet e kaluara kanë sjellë djegie dhe dëmtime të rënda fizike. Po ashtu, personat me sëmundje kronike të frymëmarrjes përballen me komplikacione për shkak të motit të ftohtë.

Fluksi i zakonshëm ditor i Urgjencës gjatë kësaj periudhe arrin deri në 250–300 pacientë në 24 orë, duke ushtruar presion të madh si mbi shërbimin paraspitalor ashtu edhe mbi atë spitalor. Spitali ka rritur gatishmërinë për netët kritike të ndërrimit të viteve, duke shtuar personelin dhe furnizimet mjekësore.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë festave, të shmangin alkoolin në drejtimin e automjeteve dhe të përdorin fishekzjarret me përgjegjësi, në mënyrë që festa të mos përfundojë në urgjencë apo tragjedi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related