Katër drejtorë të lartë policie pritet të boshatisin zyrat pas operacionit “Metamorfoza 4”, SPAK dhe BKH bëjnë gati procedurat për bastisjen e zyrave dhe banesave

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka thelluar hetimet sa i takon përfshirjes dhe bashkëpunimit të efektivëve të policisë dhe kupolës së kësaj organizate me personazhe të botës së krimit të organizuar, si vrasës me pagesë, baronë e trafikantë droge dhe kriminelë. Gazeta ka mësuar se katër drejtorë policie pritet të boshatisin zyrat pas operacionit “Metamorfoza 4”, ndërkohë që prokurorët e SPAK dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) po përgatiten për bastisjen e zyrave dhe banesave. Kjo lëvizje e SPAK vjen, pasi katër drejtuesit e lartë që janë pjesë e kupolës së Policisë së Shtetit, kanë rënë në përgjime me kriminelë në aplikacionet “Sky” e “EnchroChat”. Sipas burimeve, ata janë marrë në pyetje sa i takon këtij skandali të paprecedentë (kanë deponuar), duke bërë që përveçse vendit të punë, ata dhe të tjerë anëtarë të kupolës së Policisë së Shtetit rrezikojnë edhe burgun. Pra duket qartë se dosja voluminoze që prokurorët francezët e belgë sollën në SPAK do të çojë në pranga dhjetra punonjës policie, ndërkohë që të rrezikuar janë edhe zyrtarë të lartë, ministra, deputetët, kryetar bashkish, drejtues bankash, pronar mediash dhe gazetarë. Kështu që nisur nga situata dhe vendosmëria e SPAK për të çmontuar krimin e organizuar dhe korrupsionit, vera pritet të jetë e nxehtë, jovetëm nga temperaturat që për stinën janë normale, por për faktin se drejtues të lartë policie, zyrtarë të lartë vendor e qendrorë apo edhe politikanë e ministra, pritet të dalin nga zyrat apo banesat me pranga në duar. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht, veçse një gjë është e sigurtë, se kushdo që është përfshirë në afera korruptive e kriminale, nuk shpëton dot nga “darët” e ligjit.

Paralajmërimi

Por telashe për kupolën e policës ka paralajmëruar edhe profesori i Kriminologjisë, Ervin Karamuço. Ky i fundit teksa ishte ftuar në një studio televizive pak ditë më parë, është shprehur se SPAK pritet që në ditët në vazhdim të arrestojë disa zyrtarë të lartë në kupolën e Policisë së Shtetit, të cilët nga hetimet del se kanë kryer veprime të paligjshme. Ai ka treguar se në aplikacionin e komunikimeve sekrete “Sky ECC” kanë dalë dhe mjaft elementë shqiptarë të botës së krimit, e po ashtu dhe zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit. “Aty brenda çfarë nuk ka. Ka drogë, ka urdhërime për vrasje, t’i biem këtij, t’i biem atij. Mezi po pres që t’i kuadrojnë, të nxjerrin për gjithsecilin përgjegjësinë konkrete dhe të fillojnë arrestimet. Njëra prej tyre pritet tani dhe ka të bëjë me strukturën e lartë të Policisë së Shtetit”, u shpreh Ervin Karamuço. Sikundër gazeta “SOT” e theksoj më sipër, bëhet fjalë për katër shefa policie, të cilët janë vënë nën “shënjestrën” e Prokurorisë së Posaçme dhe nga hetimet janë grumbulluar prova për aktivitetin e tyre, larg zbatimit të ligjit. SPAK ka konfirmuar dhe vetë hetimet për këta zyrtarë. Megjithëse nuk ka dhënë emra, organi më i lartë i akuzës në Shqipëri i ka konfirmuar gazetares Anila Hoxha se 4 zyrtarët me poste të larta në strukturën e Policisë së Shtetit janë aktualisht nën hetim. Indicie për këtë rast ka dhënë dhe vetë kryeprokurori Altin Dumani, i cili në dëgjesën publike përballë Këshillit të Lartë të Prokurorisë u shpreh se për dosje të caktuara ata detyrohen të mos bashkëpunojnë me Policinë për hetime, sepse zyrtarët e lartë janë të lidhur me krimin. “Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta”, u shpreh kreu i SPAK pak ditë më parë.

Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë se grupet kriminale shqiptare kanë gjetur mënyra të ndryshme për t’iu shmangur autoriteteve ligjzbatuese. Ata përdornin disa aplikacione që janë pa server, të tilla si “Matrix”, “Sky ECC”, “EnchroChat”, të cilat nuk mund të gjurmohen dhe e lënë “anonim” përdoruesin. Kështu aplikacionet i japin mundësi krimit të komunikojë në distancë i pa shqetësuar se aktiviteti i tyre mund të zbulohet. Por gjatë viteve të fundit disa vende europiane dhe agjenci ligjzbatuese arritën të thyenin aplikacionet “EnchroChat” dhe “Sky”. Qindra persona u arrestuan në Holandë dhe Belgjikë. Këto dy aplikacione rezulton se janë përdorur nga rreth 230 mijë persona në mbarë botën. Në duart e hetuesve tashmë janë miliona mesazhe me sfond kriminal. Së fundmi prova e Prokurorisë së Posaçme shqiptare (SPAK) që çoi në pranga një prokuror dhe ish-shefin e Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, ishin informacione të përcjella nga autoritetet franceze, belge e holandeze të drejtësisë, bisedat e të dyshuarve në platformat dikur të pagjurmueshme “Sky” dhe “EncroChat”. Me besimin e një komunikimi të sigurtë, anëtarët e grupit kriminal kanë marrë e dhënë porosi për vrasje, planifikuar krime, si edhe raportuar realizimin e tyre në kohë reale. “U kry”, ishte një nga këto mesazhe, ku i tregohej të tjerëve se vrasja ishte realizuar me sukses.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related