Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në zonën e Qerretit, në Durrës, ku një burrë ka kërcënuar vajzën e tij me thikë, ndërsa dyshohet se ndodhej në gjendje të dehur.
Sipas të dhënave paraprake, ai kishte ushtruar dhunë ndaj vajzës brenda banesës, ndërsa më pas ka dalë jashtë me mjetin prerës në dorë dhe ka hyrë në një banesë pranë, duke kërcënuar edhe fqinjët. E reja ka arritur të largohet në kohë, duke shmangur pasoja më të rënda.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të patrullës së policisë që ndodhej në zonë, situata është vënë nën kontroll. Gjatë momentit të ndërhyrjes, autori ka plagosur veten me thikë në pjesën e qafës.
Ai është transportuar me urgjencë në spitalin e Durrësit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tij paraqitet e rëndë.
Policia ka ngritur grup hetimor për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
