Zbardhet vrasja e Fatos Cenajt pas disa muajsh: Autori u tradhtua nga mëngët me tatuazhe dhe pamjet e kamerave

Data

Pas disa muajsh hetime intensive, autoritetet italiane kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së Fatos Cenajt, 58-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë më 8 qershor në fshatin Fontaniva.

Në pranga ka rënë një 45-vjeçar, punëtor dhe fqinj i viktimës. Sipas hetimeve paraprake, motivi i krimit dyshohet të ketë qenë një konflikt i vazhdueshëm mes dy fqinjëve.

Trupi i Cenajt u gjet në anë të rrugës, pranë triçikletës së tij. Fillimisht u dyshua për një aksident, por ekzaminimet mjeko-ligjore përjashtuan këtë pistë, duke konfirmuar se bëhej fjalë për një vrasje, çka çoi në thellimin e hetimeve penale.

Hetimi u zhvillua në disa drejtime dhe u mbështet në analiza shkencore të specializuara, të cilat u konsideruan vendimtare për rindërtimin e ngjarjes. Një rol kyç luajtën pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat filmuan një person të dyshimtë pranë vendit të krimit.

Autori ishte i maskuar me helmetë, maskë fytyre dhe syze dielli, duke e bërë identifikimin e tij të vështirë. Megjithatë, një detaj i veçantë tërhoqi vëmendjen e hetuesve: mëngët me tatuazhe artificiale që ai mbante veshur.

Duke qenë se fytyra nuk ishte e dallueshme, hetimet u përqendruan te këto mëngë, të cilat rezultuan të ishin produkte të blera online. Nga verifikimet u zbulua se fqinji i viktimës kishte porositur artikuj identikë me ata që shfaqeshin në pamjet filmike.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e të dyshuarit në muajin korrik, u sekuestruan pantallona, këpucë, helmetë dhe mëngë me tatuazhe, që përputheshin me ato të përdorura ditën e krimit. Po ashtu, u gjetën materiale për prodhimin artizanal të armëve dhe municioneve, përfshirë një torno, plumba të punuar me dorë dhe shufra metalike për përpunim të mëtejshëm.

Prova shtesë u siguruan edhe nga analizat laboratorike. Në veçanti, të njëjtat mbetje baruti u konstatuan si në plumbat e gjetur në banesën e të dyshuarit, ashtu edhe në elementë të lidhur me mjetet e viktimës, duke forcuar dyshimet ndaj tij.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësinë penale të autorit, ndërsa i arrestuari do të përballet me akuzën për vrasje me dashje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related