Ish-presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u vu në pranga mesditën e kësaj të hënë. Ai u vu në pranga në hyrje të qytetit të Tiranës, teksa po kthehej nga Kosova.
Avokati Idajet Beqiri i ftuar në një emision televiziv u shpreh se Policia e Shtetit thjesht zbatoi detyrën, pasi ekzekutoi urdhrin e Gjykatës së Posaçme.
“Polica thjesht e ekzekutoi vendimin e Gjykatës. Ai e shkatërroi detyrën e lartë që ju dha, atë të kryetarit të shtetit me këto gjeste. E solli aty një politikë të mbrapsht”, tha ai.
Ai theksoi se Ilir Meta në momentin e arrestimit tregoi sjellje “rrugaçërie” ndaj policisë dhe agjentëve të BKH-së, të cilët ndërhynë për ta arrestuar. Sipas avokatit, ish-kreu i Lartë i Shtetit e mendonte veten të paprekshëm dhe kishte haruar se Kodi Penal është i njëjtë për të gjithë.
“Ai bënte si një rrugaç rruge. Këta janë ata tipa, që nuk njohin shtet, nuk njohin institucione, nuk njohin ligj. Meta e mendonte veten të paprekshëm. E sotmja tregoi se je një qytetar si gjithë qytetarët. Kodi Penal është i njëjtë”, tha ai.
