Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, ka folur për humbjen e të atit, procesin gjyqësor në Hagë dhe për mënyrën se si e sheh këtë çështje në raport me të vërtetën historike dhe drejtësinë.
Duke u ndalur te vdekja e babait të tij, Thaçi e cilësoi atë si një humbje të madhe personale dhe familjare. Ai tha se pamundësia për të marrë pjesë në ceremoninë mortore është një plagë që do ta mbajë mend për gjithë jetën.
Sa i përket procesit në Hagë, Thaçi u shpreh se gjykatat duhet të japin drejtësi dhe jo dënime të bazuara në mashtrim. Ai theksoi se shpresa e tij është që ky proces të kontribuojë në të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin.
Sipas tij, gjyqtarët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë dhe të shohin të vërtetën gjatë procesit, ndërsa pyetja kryesore mbetet se çfarë vendimi do të marrin mbi bazën e saj.
Thaçi deklaroi gjithashtu se e konsideron pas vetes garën politike, por jo jetën e tij politike, duke lënë të kuptohet se në të ardhmen mund të vijojë të kontribuojë si qytetar i lirë i Kosovës, nëse shpallet i pafajshëm dhe kthehet në vend.
Në intervistë ai mbrojti qëndrimin e tij dhe të ekipit të mbrojtjes lidhur me mungesën e një zinxhiri të qartë komande brenda UÇK-së, duke argumentuar se ky proces nuk duhet të përdoret për të shtrembëruar të vërtetën historike të luftës në Kosovë.
Thaçi theksoi se populli i Kosovës luftoi për mbijetesë dhe liri, ndërsa paralajmëroi se përdorimi i provave të fabrikuara nga regjimi i Millosheviçit do të ishte i rrezikshëm jo vetëm për të kaluarën e Kosovës, por edhe për mënyrën se si mund të interpretohen konflikte të tjera në të ardhmen.
Në fund, ai u shpreh se mbetet i bindur se ky proces duhet të ndihmojë në forcimin e së vërtetës historike, pa e relativizuar luftën dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.
