Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK kërkon burg përjetë për Altin Hajrin

Data

Avokatët e Altin Hajri, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dënimin e tij me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prenga.

Në seancën e radhës në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), mbrojtja paraqiti kundërshtimet përfundimtare, ndërsa vendimi për Hajrin pritet të shpallet në një seancë të ardhshme. 

Avokati Aranit Roshi deklaroi para trupës gjykuese se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me rrëmbimin dhe se ngjarja ka ndodhur pa dijeninë e tij në ambientet e biznesit. Sipas tij, disa persona me kapuç kanë shkuar në kompleks dhe kanë thënë se personi që kishin sjellë ishte sëmurë. 

Mbrojtja pretendon se Hajri i ka dhënë ujë personit dhe vetëm pasi ka parë shenja gjaku dhe armë ka kuptuar se bëhej fjalë për një ngjarje të rëndë, duke larguar më pas familjarët nga kompleksi. 

Nga ana tjetër, SPAK pretendon se provat e mbledhura tregojnë se Hajri ka pasur dijeni për rrëmbimin dhe ka bashkëpunuar me autorët e ngjarjes. 

Ngjarja e rëndë ndodhi në janar të vitit 2020, kur Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz dhe më pas u dërgua në kompleksin në Shijak, ku edhe u pa për herë të fundit. Trupi i tij nuk është gjetur ende. Sipas hetimeve, rrëmbimi dyshohet se u porosit si hakmarrje për një sasi droge të humbur në Angli, ku ishte i përfshirë vëllai i viktimës. 

Për këtë çështje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Dritan Rexhepi, i cili sipas hetimeve ka porositur rrëmbimin nga Ekuadori, ku ndodhej në atë kohë. 

Ndërkohë, gjykata pritet të japë vendimin për Altin Hajrin në seancën e radhës, ndërsa ai vijon të jetë në arrati prej disa vitesh.  

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related