Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndodhet në pozita shumë të vështira pasi dosjet e saj po bëhen mal në SPAK. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se zëvendëses së Edi Ramës i është regjistruar kallëzimi penal i denoncuar nga opozita në Prokurorinë e Posaçme për shkeljet në tunelin e Llogarasë. Prokurori që ka në dorë hetimin e kësaj afere gjigante që rrezikon të çojë në burg Belinda Ballukun po mbahet sekret për shkak të shmangieve të shantazheve dhe presioneve nga politika dhe oligarkia e korruptuar, pasi kjo dosje është shumë sensitive.
Projekti
Projekti i tunelit të Llogarasë ka qenë nga më të debatuarit, për shkak të mungesës së konsultimit publik si dhe për shërbimin që pritet t‘i ofrojë realisht shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por ky është tuneli më i kushtueshëm në Evropë. 65 mijë euro për frymë të cilën nuk e ndërton as shteti më i pasur në botë. Përveç se aty del se ka grabitje të madhe, ky tunel më shumë se shqiptarëve të varfër, është projektuar t’i shërbejë oligarkut Samir Mane, për të dërguar në fshatin e tij turistik sa më shumë turistë. Në fund të majës së Llogarasë, pranë Urës së Palasës aty ku del edhe tuneli, Mane ka ndërtuar tashmë prej vitesh një seri vilash private. Fshati nuk quhet më Palasë, por fshati i Manes, pasi vilat po zgjerohen përgjatë vijës bregdetare.
Një infrastrukturë e tillë i nevojitej ortakut të Edi Ramës, i cili urdhëroi përfundimin e këtij ndërtimi në kohë rekord. Çfarë përfitimi do të ketë nga turizmi, kur në këto “fshatra turistikë” si ky i Samir Manes, Rama nuk rrit numrin e shtretërve por vazhdon të krijojë shtëpitë e dyta e të treta për vetën dhe miqtë e tij në qeveri. Mjafton të trokasësh në çdo vilë në këto zona dhe aty jetojnë të gjithë ministrat e qeverive të majta apo të djathta dhe shpura me deputetë që janë pasuruar nëpërmjet favoreve qeveritare.
Detajet nga kallëzimi i SPAK, 10 prova abuzimi me miliona euro dhe procedura fiktive
Balluku akuzohet nga opozita se në bashkëpunim dyshohet se ka kryer veprat penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Në dispozicion të SPAK janë vendosur 10 prova abuzimi me miliona euro dhe procedura fiktive të shpalljes së fituesit, më konkretisht:
1- Në datën 14.12.2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur tenderin me objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë”. Në këtë procedurë paraqiti ofertë shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë rreth 140 milionë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendosi anullimin e tenderit dhe “çuditërisht” shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. e skualifikuar nga gara nuk bën ankim ndaj vendimit të skualifikimit nga procedura e prokurimit.
