Pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, autoritetet kanë ndërmarrë një nga operacionet më të forta të viteve të fundit në sistemin penitenciar. Në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 2026, 15 të burgosur me rrezikshmëri të lartë u transferuan nga Burgu i Durrësit drejt IEVP Peqin, institucioni me nivelin më të lartë sigurie në vend.
Mes të transferuarve janë emra të njohur të botës së krimit si Lulzim Berisha, Orges Molla dhe Juxhin Koka, si edhe dy shtetas brazilianë dhe një shtetas nga Venezuela. Në këtë grup përfshihen gjithashtu persona të arrestuar në kuadër të operacioneve të mëdha kundër krimit të organizuar, si “Ura” dhe “Revansh”.
Operacioni u zhvillua pak pas mesnate, nën masa ekstreme sigurie. Dhjetëra mjete policore shoqëruan kolonën drejt Peqinit, ndërsa protokollet e lëvizjes u mbajtën tërësisht të fshehta për arsye sigurie. Burime bëjnë me dije se kolona mbërriti në ambientet e burgut rreth orës 00:15.
Vendimi për transferimin e menjëhershëm të këtyre personave erdhi si reagim direkt ndaj dështimit të sigurisë në Burgu i Durrësit, i njohur shpesh si “burgu i VIP-ave”, për shkak të kushteve më të lehta dhe pranisë së personazheve të profilit të lartë kriminal.
Sipas të dhënave, pas ngjarjes së arratisjes, 206 të dënuar dhe paraburgosur u kaluan në një proces rivlerësimi për shkallën e rrezikshmërisë. Nga ky filtër, u përzgjodhën elementët më problematikë, të cilët u sistemuan në Peqin, burg i pajisur me seksione të posaçme të sigurisë së lartë dhe kontroll maksimal.
Ky operacion konsiderohet një sinjal i fortë për rikthimin e kontrollit dhe disiplinës në sistemin e burgjeve, pas një serie skandalesh që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë dhe funksionimin e tij.
