Përballë rritjes së çmimeve si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, qeveria e Greqi ka prezantuar një paketë mbështetëse prej rreth 300 milionë eurosh.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis bëri të ditur se masat synojnë të zbusin goditjen ekonomike për qytetarët dhe bizneset, sidomos për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve.
Masat kryesore:
- Subvencion prej 16 cent për litër karburanti, që përkthehet në rreth 20 cent më pak për konsumatorin
- Kartë dixhitale për karburant dhe transport, me përfitim rreth 50 euro për familje çdo dy muaj (deri në 60 euro në ishuj)
- Mbështetje për rreth 3 nga 4 milionë pronarë automjetesh
Mbështetje për sektorët:
- Fermerët do të përfitojnë subvencion 15% për plehrat kimike
- Kompanitë e trageteve do të kompensohen me kusht uljen e çmimeve të biletave
Qeveria synon të frenojë rritjen zinxhir të çmimeve, nga prodhimi deri te konsumatori.
Për financimin e paketës, Athina planifikon të rrisë taksimin për fitimet nga lojërat e fatit online, duke synuar të sigurojë rreth 100 milionë euro shtesë.
Mitsotakis e cilësoi paketën si një “mburojë” për ekonominë, duke theksuar se qeveria do të ndërhyjë sa herë që krizat ndërkombëtare prekin drejtpërdrejt qytetarët.
