Një trupë e thjeshtë gjyqësore emigracioni në Romë konstatoi se zbatimi i Paktit Rama-Meloni për depozitimin në Shqipëri të emigrantëve nga vendet e treta që kanë si synim Italinë, është në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me marrëveshjet ndërkombëtare mbi emigracionin.
Këtë të Premte, një treshe gjyqtarësh në kryeqytetin italian vendosën se 12 emigrantët e parë të “depozituar” në Gjadër më herët gjatë kësaj jave, duhet të transferohen menjëherë në Itali, ku do të ndjekin procedurat rutinore për azil-kërkim.
Ky vendim ishte një goditje e fortë për paktin e shumë-debatuar, të nënshkruar mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe homologes së tij italiane, Xhorxhia Meloni.
Pakti kishte shumë pika të dyshimta, si për procedurën e ndjekur, ashtu edhe për aspekte të zbatimit të tij, sidomos sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut.
