Autoritetet greke kanë arrestuar një shtetas shqiptar, 68 vjeç, i dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike, pas një operacioni të zhvilluar nga Departamenti për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimeve në Follorinë.
Sipas njoftimit të autoriteteve greke dhe raportimeve të mediave vendase, i dyshuari u ndalua gjatë një kontrolli të automjetit që drejtonte në një zonë të Follorinës, pranë kufirit greko-shqiptar.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dy çanta udhëtimi dhe një thes, brenda të cilëve ndodheshin 50 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis, me një peshë totale bruto prej 55 kilogramë e 422 gramë.
Në kuadër të procedurave hetimore, autoritetet sekuestruan gjithashtu automjetin e përdorur për transportin e lëndës narkotike, si dhe tre telefona celularë që ndodheshin në posedim të të arrestuarit.
Çështja i është referuar autoriteteve kompetente greke, të cilat po vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin e lëndës narkotike, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
Sqarim: Personi i arrestuar prezumohet i pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
