Deputeti demokrat, Luan Baçi, i ftuar në studion e Panorama TV ka folur për Reformën Zgjedhore, duke thënë se po mbahet peng nga mazhoranca.
Ai tha se po bëhet teatër dhe se Edi Rama nuk do Reformë Zgjedhore sepse ka një kod zgjedhor të njëanshëm që e ka bërë vetëm për të fituar zgjedhjet në tavolinë.
“Duhet të kujtojmë se funksionimi i Reformës Zgjedhore ka dy vite që është ngritur dhe është peng, peng i mazhorancës. Ky komision dy vjet nuk u mblodh dhe në krye të dy vjetëve, nuk u dha llogari deputetëve të parlamentit. Përkundrazi, opozita ka insistuar. Teatri vazhdon nga ana e mazhorancës, bëjnë sikur vijnë në takimin e mbledhjes, që s’mund të bëhet me anëtarë gjysmakë, me mungesa dhe pa bashkëkryetarin. Bllokimin e ka bërë mazhoranca.
Opozita nuk bllokon asgjë, ka një shkak dhe pasojë. Qëllimi është i thjeshtë, Edi Rama nuk do Reformë Zgjedhore sepse ka një kod zgjedhor të njëanshëm që e ka bërë vetëm për të fituar zgjedhjet në tavolinë.
Propozoj që në hartimin e Kodit zgjedhor duhet të merren parasysh dhe mendimet e partive të vogla jo parlamentare dhe shoqërisë civilë. Vetëm kështu do të ketë një kod bashkëpranues”,tha ai.
Baçi gjithashtu foli dhe për situatën politike brenda PD-së, ku tha se opozita e ka gjetur gjuhën e përbashkët.
“Opozita e ka gjetur gjuhën e përbashkët, është nëpërmjet votës. Nuk d.m.th që 100% e grupit të jenë dakord në atë që propozohet. Ka debate, kundërshtime dhe në fund fare ka një votim dhe më pas zbatim i të vendimit. Ky teatri i shëmtuar, i shpifur, i njerëzve qesharakë të mazhorancës, tregon se nuk kanë dëshirë ta bëjnë reformën zgjedhore dhe lozin me atë opozitë që e kanë të blerë. Alibeaj, që e quan veten bashkëkryetar dhe emëron veten, si mundet të pranoj se është bashkëkryetar që ka me vete 10 deputetë ndërkohë që komisioni do 9 deputetë. Kjo lojë është e shpifur, janë kthyer në qesharakë”, tha ai.
Deputeti foli dhe për propozimet e PD-së zyrtare për Reformën Zgjedhore, ku tha se parimisht është dakord për listat e hapura, por shtoi se kanë problemet e tyre dhe duhen parë nga ekspertët
“Nuk jemi për të analizuar propozimet. E para është ngritja e Komisionit. PD i ka propozimet, por nuk kanë si të hidhen në tavolinë pa u ngritur komisioni. Për propozimet e Alibeajt me ca deputetë, unë jam me listat e hapura, të cilat kanë problemet e tyre dhe duhen parë nga ekspertët. Gjithsesi, në parim jam dakord. Në Kosovë ka rezultuar e suksesshme”, tha ai.
