Lamallari: Policia do të intensifikojë kontrollet ndaj ndotjes akustike, qytetarët ftohen të raportojnë shkeljet

Data

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka njoftuar se Policia e Shtetit do të shtojë kontrollet në të gjithë vendin për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndotjes akustike, me fokus të veçantë në zonat turistike dhe bregdetare.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se zhurma e tepërt nuk duhet të ndikojë në qetësinë e qytetarëve dhe turistëve që zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri.

Sipas ministrit, strukturat e Policisë së Shtetit do të monitorojnë respektimin e kufijve të lejuar të nivelit të zhurmës dhe do të marrin masa administrative ndaj subjekteve apo individëve që shkelin legjislacionin në fuqi.

Lamallari u bëri thirrje administratorëve të lokaleve dhe subjekteve të tjera të respektojnë rregullat për ndotjen akustike, duke paralajmëruar se autoritetet do të zbatojnë politikën e “zero tolerancë” ndaj shkelësve.

Ai ftoi gjithashtu qytetarët të denoncojnë rastet e zhurmës së tepërt pranë Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 129, për të mundësuar ndërhyrjen e menjëhershme të strukturave përgjegjëse.

Kontrollet janë pjesë e masave të ndërmarra gjatë sezonit turistik për garantimin e rendit publik dhe respektimin e standardeve ligjore në zonat me fluks të lartë vizitorësh.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related