Atentati në Sarandë, jashtë rrezikut për jetën 50-vjeçari i plagosur

Data

Thimjo Rubati, 50 vjeç, i cili mbeti i plagosur në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Sarandë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi u transportua për trajtim të specializuar në spitalin e Janinës, në Greqi.

Sipas burimeve pranë spitalit, në trupin e të plagosurit janë konstatuar tre plagë të shkaktuara nga armë zjarri, dy pranë mëlçisë dhe një në pjesën e legenit. Burimet bëjnë me dije se predhat nuk kanë prekur organe jetësore.

Fillimisht, 50-vjeçari mori ndihmën e parë në Spitalin e Sarandës, ku iu administruan transfuzione gjaku, përpara se të transportohej në Janinë për trajtim të mëtejshëm. Gjendja e tij shëndetësore raportohet e stabilizuar.

Ndërkohë, grupi hetimor ka vijuar veprimet në vendngjarje, duke kryer këqyrje të zonës, administruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe mbledhur prova të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Policia po merr në pyetje disa persona që mund të kenë dijeni për atentatin, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve të ngjarjes.

Sqarim: Personat që mund të përfshihen në këtë çështje prezumohen të pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related