Prokurori i posaçëm Elvin Gokaj, një nga kandidatët për postin e kreut të ri të SPAK, deklaroi gjatë seancës së dëgjimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë se drejtuesit e deritanishëm të institucionit, Arben Kraja dhe Altin Dumani, nuk kanë ushtruar asnjëherë ndikim apo ndërhyrje në çështjet hetimore të prokurorëve.
Gokaj theksoi se pavarësia e brendshme ka qenë gjithmonë parim i respektuar brenda SPAK dhe se të njëjtën qasje do të ndjekë edhe ai, nëse zgjidhet drejtues i institucionit për mandatin trevjeçar.
“Asnjëherë s’ka pasur ndërhyrje nga drejtuesit e mëparshëm në çështjet tona. Nuk kemi pasur ndikim nga askush në hetimet konkrete. Kjo do të jetë edhe linja ime e drejtimit,” – u shpreh ai.
Si i shmangen presionet? Gokaj: “Mos hyr në kontakt me to”
I pyetur nga anëtarët e KLP-së për përvojën e tij me presionet e mundshme ndër vite, përfshirë edhe ato të periudhës si prokuror i posaçëm, Gokaj deklaroi se qëndrueshmëria profesionale dhe distanca nga palët janë mburoja më efikase.
“Jam 26 vite në sistem. Presionet nuk të prekin nëse nuk hyn në kontakt me to. Mënyra e vetme është të zbatosh ligjin dhe të qëndrosh korrekt. Kështu nuk krijon hapësirë për ndërhyrje,” – u shpreh ai.
Procesi i dëgjimit publik për kandidatët për drejtimin e SPAK po zhvillohet prej orësh në KLP, ku secili prej prokurorëve paraqet vizionin e tyre mbi drejtimin e institucionit të akuzës së posaçme.
