Berisha: Shabani mori firmat kur mbështeti Binajn, por më pas doli se kishte lidhje me Ramën – prandaj i tërhoqëm

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sqaroi sot arsyen pse PD vendosi të tërheqë firmat për kandidaturën e Endri Shabanit në garën për Avokatin e Popullit. Para mediave, Berisha tha se Shabani kishte marrë mbështetjen e opozitës në momentin kur doli publikisht pro kandidaturës së Florian Binajt për Bashkinë e Tiranës, një qëndrim që në atë kohë krijoi një aleancë “morale” mes forcave opozitare.

Sipas Berishës, më vonë dolën në dritë elementë që sipas tij tregonin se Shabani kishte lidhje të forta me kryeministrin Edi Rama, çka e bënte të papranueshëm si përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit.

“Shabani i mori firmat atëherë kur mbështeti Florian Binajn. Kjo krijoi një koalicion moral mes nesh. Por më pas dolën një seri problemesh që treguan se ai nuk ishte thjesht opozitar, por një person me lidhje të qarta me Edi Ramën,” – u shpreh Berisha.

Kreu i opozitës shtoi se ky nuk është vetëm qëndrim i PD-së, por edhe i aktorëve të tjerë publikë që kërkojnë që Avokati i Popullit të jetë një figurë e pavarur dhe me integritet të lartë.

Përplasja me mazhorancën për procedurën e firmave

Berisha rikujtoi se Komisioni i Ligjeve vendosi që çdo deputet mund të firmoste vetëm për një kandidat. Në respekt të këtij vendimi, PD i tërhoqi të gjitha firmat për të gjithë kandidatët, përfshirë Shabanin.

Por, sipas tij, mazhoranca e shpërfilli këtë vendim vetëm për të ruajtur mbështetjen ndaj Endri Shabanit:

“Ky vendim u rrëzua nga mazhoranca pa asnjë argument dhe pa një procedurë institucionale. Pse? Sepse përndryshe humbisnin firmat për Shabanin.”

Berisha akuzoi PS-në se me këtë veprim rrëmbeu një institucion që tradicionalisht i është lënë opozitës dhe se me këtë qasje ka shkatërruar mundësitë për bashkëpunim në çështjet madhore.

“Me këtë akt jo vetëm rrëmbyen Avokatin e Popullit, por treguan se ulja në tavolinë me ta është pa asnjë fryt. Ka tre vite që nuk ka bashkëpunim real.”

Në listën e kandidatëve që PD thotë se mbështeti më herët për hyrjen në garë, Berisha përmendi Besim Ndregjonin, Adrianën Kalaja dhe katër kandidatë të tjerë që, sipas tij, plotësonin të gjitha kriteret.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related