Paratë me fajde, pista kryesore e hetimit? Dyshohet se vrau dhe zhduku trupin e shokut, në makinën e autorit u gjetën lopata me baltë

Data

Hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi kanë marrë një kthesë të rëndësishme, ndërsa autoritetet dyshojnë se ai është vrarë dhe më pas trupi i tij është fshehur në një zonë të izoluar.

Dyshimet e grupit hetimor janë forcuar pas kontrolleve të kryera në automjetin tip “Porsche” të Armand Shakajt, mikut të ngushtë të Koçit dhe personit të shpallur në kërkim për këtë ngjarje. Sipas burimeve pranë hetimit, brenda automjetit janë gjetur disa vegla pune, mes tyre edhe lopata me mbetje balte, element që ka ngritur dyshime se trupi i të riut mund të jetë groposur.

Kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit po vijojnë prej ditësh në disa zona të vendit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, deklaroi se operacioni është përqendruar kryesisht në zona malore të Tiranës dhe Elbasanit. Në ndihmë të autoriteteve shqiptare janë angazhuar edhe forca nga Kosova, të cilat po marrin pjesë në kërkime me qen të specializuar.

Paralelisht me kërkimin e trupit, policia po punon edhe për lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt, i cili dyshohet si autori kryesor i krimit.

Sipas hetuesve, pas ngjarjes së dyshuar, trupi i Eglant Koçit mund të ketë qëndruar për më shumë se 24 orë në automjetin e Shakajt. Më pas, ky i fundit dyshohet se ka përdorur një karrotrec, duke pretenduar se makina kishte pësuar defekt, dhe e ka transportuar atë drejt zonës së Ibës. Pikërisht aty, në një territor ku mungon mbulimi me kamera sigurie, dyshohet se janë humbur gjurmët e fundit.

Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me mosmarrëveshje financiare mes dy miqve. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se po verifikohen informacione sipas të cilave Armand Shakaj merrej me dhënien e parave me fajde. Dyshohet se, përmes ndërmjetësimit të Eglant Koçit, një shumë e konsiderueshme parash u ishte dhënë personave të tretë.

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që këto para të mos jenë kthyer, duke krijuar konflikt mes dy shokëve. Në këtë skenar, Armand Shakaj mund ta ketë konsideruar Eglant Koçin përgjegjës për humbjen e shumës së parave, çka mund të ketë çuar në përshkallëzimin e konfliktit dhe ngjarjen e rëndë që po hetohet.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se hetimet janë ende në zhvillim dhe se deri tani nuk ka një version përfundimtar mbi motivin apo rrethanat e ngjarjes. Kërkimet për gjetjen e trupit të Eglant Koçit dhe kapjen e të dyshuarit kryesor vijojnë intensivisht.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related