Një operacion policor ka çuar në arrestimin e tre personave dhe procedimin penal të katër të tjerëve, të dyshuar për kontrabandë veshjesh luksi nga Turqia dhe Kina, të cilat shiteshin më pas në Tiranë pa faturë tatimore.
Të arrestuarit u kapën në flagrancë teksa transportonin me dy automjete 17 valixhe të mbushura me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara të futura në vend në mënyrë të paligjshme. Mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetet e përdorura për transport.
Sipas hetimeve, grupi i përfshirë vepronte në bashkëpunim, duke kontrabanduar mallrat, duke i magazinuar në Tiranë dhe më pas duke i hedhur në treg në mënyrë informale, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe fiskale.
Operacioni, i zhvilluar nga strukturat e hetimit të krimit ekonomik dhe financiar, çoi në identifikimin e gjithsej shtatë personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Tre prej tyre u arrestuan, ndërsa katër të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për veprat penale që lidhen me kontrabandën e mallrave, tregtimin e produkteve të kontrabanduara, mospagimin e taksave dhe fshehjen e të ardhurave. Hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë.
