Shembet një masiv shkëmbor në plazhin e Biarritz, humb jetën një grua dhe një person rezulton i zhdukur

Data

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pranë farit të Biarritz, në jugperëndim të Francës, ku shembja e një masivi shkëmbor mbi tre zhytës ka shkaktuar një viktimë, ndërsa një person tjetër rezulton ende i zhdukur.

Sipas autoriteteve lokale, një masë e madhe shkëmbi u shkëput dhe ra në det, duke zënë poshtë tre persona që ndodheshin pranë bregut. Ekipet e emergjencës nxorën nga uji trupin e pajetë të një gruaje, ndërsa një tjetër zhytës arriti të shpëtojë pa lëndime fizike, por në gjendje shoku.

Një burrë 34-vjeçar vijon të jetë i zhdukur. Kryetari i Bashkisë së Biarritz bëri të ditur se ai është partneri i gruas që humbi jetën.

Prefektura e Pyrénées-Atlantiques njoftoi se rreth 2 mijë metra katrorë të shpatit u shembën rreth orës 20:20 pranë farit të qytetit. Në atë kohë, plazhi Miramar ishte i mbushur me pushues, pasi temperaturat në zonë kishin kaluar 40 gradë Celsius.

Dëshmitarët raportuan se dëgjuan një zhurmë të fortë përpara se një pjesë e madhe e shkëmbit të shkëputej dhe të binte në ujë.

“Ne shpesh uleshim aty për të parë perëndimin e diellit dhe nuk e kishim menduar kurrë se shkëmbi mund të shembej”, citohet të ketë thënë një dëshmitare 32-vjeçare për AFP.

Operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e 34-vjeçarit vazhdon, ndërsa autoritetet kanë izoluar zonën për arsye sigurie.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related