Shira të rrëmbyeshëm dhe erëra shumë të forta goditën Portugalinë gjatë natës, duke shkaktuar të paktën dy viktima dhe dëme të mëdha materiale, kryesisht në zonën e Lisbonës.
Stuhia “Kristin” solli erëra deri në 150 km/orë, rrëzoi pemë dhe struktura metalike, si dhe shkaktoi përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Shërbimet e emergjencës raportuan rreth 1 500 ndërhyrje brenda pak orësh.
Një person humbi jetën pasi një pemë i ra mbi automjet në Vila Franca de Cira, ndërsa një tjetër u vra nga shembja e një strukture metalike në Monte Real. Autoritetet bënë të ditur se qindra mijëra familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa rrugë, hekurudha dhe shkolla u mbyllën për arsye sigurie.
Stuhia vijoi më pas drejt Spanjës, ku raportohet edhe një viktimë tjetër nga rënia e një peme në Torremolinos.
