Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, në një postim në rrjetet sociale, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama dhe marrëveshjet e tij me qeverinë italiane.
Shehu e konsideroi si një tjetër dështim nismën e fundit të Ramës, duke nënvizuar se një grup prej 12 emigrantësh të dërguar në Shëngjin janë kthyer sërish në Bari, një zhvillim që, sipas tij, ka krijuar “telashe të vërteta” për qeverinë italiane dhe miqtë e Shqipërisë në atë vend.
Në postimin e tij, ai u bëri thirrje qytetarëve italianë të mos i besojnë “dhuratave” të Ramës, duke e akuzuar atë për aventura politike të papërgjegjshme, që synojnë të mashtrojnë Perëndimin dhe ta paraqesin atë si një lider pro-europian.
Shehu e vuri theksin te përpjekjet e Ramës për të “shitur” një imazh të rremë të tij si një mik i ngushtë i partnerëve strategjikë të Shqipërisë, përfshirë Italinë, duke u përpjekur të maskojë ndikimet që vijnë nga lindja dhe lidhjet e tij të ngushta me “sulltanatet” lindore.
