Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në zonën mes fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, duke angazhuar shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Sipas informacionit paraprak, njoftimi për zjarrin është marrë rreth orës 21:09. Pas marrjes së sinjalizimit, në vendngjarje janë dërguar dy grupe shërbimi me dy automjete zjarrfikëse.
Me mbërritjen në terren, ekipet kanë konstatuar dy vatra aktive zjarri, të vendosura në dy kodra të ndryshme. Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja me automjete nuk ka qenë e mundur dhe operacioni i shuarjes po zhvillohet nga efektivët në këmbë.
Autoritetet e kanë vlerësuar situatën si zjarr masiv, duke angazhuar të gjithë efektivin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Operacioni vijon me synimin për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara pranë fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq. Sqarim: Rrethanat dhe shkaqet e rënies së zjarrit nuk janë bërë ende të ditura dhe mbeten objekt verifikimi nga autoritetet kompetente.
