“Ky vendim s’na e kthen dot Martinin, por… Sot djali ynë është më i gjallë se kurrë” — Reagimi i familjes pas dënimit me 16 vite burg të vrasësit të 14-vjeçarit

Data

Familja e Martin Canit ka reaguar sot pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila dënoi me 16 vite burg Marjo Përlleshajn, autorin e vrasjes së 14-vjeçarit një vit më parë pranë gjimnazit “Fan Noli”.

Në deklaratën e tyre, familjarët shprehen se ndonëse asnjë vendim nuk ua sjell dot djalin në jetë, sot ata panë “për herë të parë një rreze të fortë drejtësie”.

“Vendim kurajoz dhe i drejtë – jeta e Martinit mori dinjitetin që meriton”

Familja Cani vlerëson se gjykata njohu atë që ata e kanë theksuar që në fillim: se kemi të bëjmë me dy vepra të ndara penale — vrasjen e Martinit dhe tentativën për vrasje ndaj shokut të tij, Luisit.

“Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.”

Ata falënderuan gjyqtarët për profesionalizmin dhe integritetin:

“Gjykata zgjodhi të shihte të vërtetën, jo rrugën e lehtë procedurale.”

“Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë”

Në deklaratë, familja njofton tre nisma që do të mbajnë gjallë kujtimin dhe mesazhin e 14-vjeçarit:

  • Muzeu “Martin Cani”, një hapësirë edukimi dhe reflektimi.
  • Një film mbi jetën dhe ëndrrën e tij për futbollin.
  • Fondacioni “Martin Cani”, i cili do të punojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla.

“Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.

Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.”

Familja falënderoi të gjithë qytetarët që i kanë mbështetur gjatë një viti të mbushur me dhimbje, betejë dhe pritje për drejtësi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related