Lulzim Basha reagon ashpër pas marrëveshjes PS-Rithemelimi, ja si revolucioni u flijua dhe u shit për 2 komisione hetimore, kreu i PD zbulon se lepuri fle te pakti Rama-Berisha i vitit 2008

Data

Kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha ka reaguar me tone të ashpra pas arritjes së marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit për ngritjen e dy komisioneve hetimore për rikthimin e normalitetit në Kuvend. Duke folur ditën e djeshme në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD në Kurbin, Basha theksoi se revolucioni i grupit të Bardhit e Berishës u shit për dy komisione hetimore, njëri prej të cilëve sipas tij, dje mbylli hetimet. “Për fat të keq revolucioni u flijua. Revolucioni i shpallur me bujë u flijua për dy komisione hetimore, njëri prej të cilëve sot u njoftua që kanë mbaruar hetimet dhe që do të komunikohen akuzat dhe që me të drejtën e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve nga Ilir Beqja me shokë, do të shkojnë në burg sepse kanë vjedhur. Këta kanë rënë dakord që të ngrenë komision, ta hetojnë, të shohin çfarë shkeljesh administrative kanë bërë dhe t’i propozojnë Ramës që të ndryshojnë ligjet. Për këtë u shit revolucioni i premtuar kurbinasve dhe gjithë demokratëve shqiptarë. Ka ardhur koha të vëmë gishtin në plagë, ku ndoshta të gjithë kemi gisht në këtë plagë kush më shumë e kush më pak. Shpresa e rreme është lidership i rremë. Ku është revolucioni, ku është përmbysja e Edi Ramës? Cila është fitorja që i shet sot demokratëve të Kurbinit që i more pas vetes me premtimin se do ta rrëzoje Edi Ramën? Ku është bashkia e Kurbinit? Të gjitha kanë avulluar si iluzione, sepse nisen me një pretendim të rremë”, deklaroi ai.

Pazari i vjetër Rama-Berisha

Ndërkohë dakordësinë që u arrit dje, Basha e quan vijim të marrëveshjes së 2008-ës. Për kreun e PD, ky ishte një komplot i ri që flijoi të ashtuquajturin revolucion. “Por diku tjetër fle lepuri, te marrëveshja famëkeqe e kushtetutës 2008-ës për të mbajtur monopolin për kandidatët për deputetë, për të kontrolluar sistemin politik siç u ka lënë trashëgimi Ramiz Alia. Edhe pse kjo në këtë formë mund të vij me një çmim shumë të lartë jo thjesht për demokratët, por për të gjithë Shqipërinë, për të gjithë Kombin me çmimin e lartë të konsolidimit të pushtetit të Edi Ramës dhe rrënimit të opozitës shqiptare. Po kaq u bën atyre që është thënë dhe me të drejtë u katapultuan pas asnjë meritë si kandidat për deputetë dhe që e kanë frikë listat e hapura, sepse kanë frikë të vijnë e të përballen me gjykimin e demokratëve, me gjykimin e qytetarëve, me votën tuaj. Frika ndaj listave të hapura i ka shtyrë drejt këtij komploti të ri ku janë prapë bashkë, bashkë për t’i mbajtur listat e mbyllura, bashkë për t’i mohuar shqiptarëve barazinë e votës, bashkë për të mohuar votimin dhe numërimin elektronik që iu heq instrumentet e manipulimeve të tjera zgjedhore, bashkë për t’i mohuar votën diasporës që duan ta degdisin ose në dyert e ambasadave, ose me postë, të Postës Shqiptare, të folesë dhe çerdhes së pushtetit, në fakt ta themi troç, të çdo pushteti”, deklaroi ai.

Koalicioni opozitar

Basha nuk i kurseu ironitë nga Kurbini, ku mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD-së, kur u shpreh se “një revolucion i shitur për të hetuar Ilir Beqën nga parlamenti, ndërkohë që përpiqet të bëhet gati për t’u futur në burg nga SPAK-u”. “Sot u njoftua që kanë mbaruar hetimet dhe që do të komunikohen akuzat dhe që me të drejtën e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve nga Ilir Beqja me shokë, do të shkojnë në burg sepse kanë vjedhur. Këta kanë rënë dakord që të ngrejnë komision, ta hetojnë, të shohin çfarë shkeljesh administrative kanë bërë dhe t’i propozojnë Ramës që të ndryshojnë ligjet. Pesë muaj që iu bëjmë thirrje atyre që kanë vepruar shpeshherë në emër të demokratëve ta ndalin këtë marrëzi dhe ja ku është produkti: një ligj i ndryshuar për komisionet hetimore, një revolucion i shitur për të hetuar Ilir Beqën nga parlamenti, ndërkohë që përpiqet të bëhet gati për t’u futur në burg nga SPAK-u”, nënvizoi Basha. Ndër të tjera për Bashën, marrëveshja e djeshme, do të vrasë reformën zgjedhore, e përballë alternativës së PD për të hapur listat, do t’i mbyllë ato, duke mbajtur në sistem kastën e vjetër të politikës. Ndërsa përballë grupimit të Rithemelimit e PS, që thotë se janë bërë bashkë në kurriz të interesave të qytetarëve, Basha paralajmëron se javën e ardhshme do të nisë lëvizjen për një koalicion opozitar që do të ketë 3 shtylla: Reformë zgjedhore, partneritet me SHBA dhe mbështetje për SPAK.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related