Gjobë, bllokim dhe para publike pa fund/ Çështja Beketi fundos Albcontrol-in, Rama derdh edhe 40 milionë euro të tjera nga buxheti

Data

Humbja përfundimtare e procesit gjyqësor kundër biznesmenit italian Françesko Beketi po i kushton shtrenjtë financave publike shqiptare. Pas konfirmimit të vendimit edhe në Gjykatën e Apelit në Paris, detyrimi financiar i shtetit shqiptar vijon të rëndohet, ndërsa faturën po e paguajnë drejtpërdrejt taksapaguesit.

Gjobë fillestare prej 110 milionë eurosh, e shoqëruar me kamatë, kosto gjyqësore dhe penalitete shtesë, po shlyhet përmes fondeve të destinuara për kompaninë shtetërore Albcontrol, llogaritë e së cilës janë bllokuar në Eurocontrol me vendim gjykate europiane.

Për të mbajtur në funksion Albcontrol-in pas këtij bllokimi, qeveria ka ndërhyrë sërish në buxhet. Me rishikimin më të fundit të buxhetit të shtetit, janë shtuar 40 milionë euro të tjera në formën e transfertës kapitale për kompaninë.

Kjo vjen pas një tjetër ndërhyrjeje në muajin tetor, kur përmes aktit normativ që shoqëroi shpërblimin e pensionistëve për fundvit, Albcontrol-it iu akorduan edhe 30 milionë euro shtesë.

Në total, vetëm gjatë këtij viti, financimi i Albcontrol-it nga buxheti i shtetit ka arritur në rreth 7 miliardë lekë, ose afërsisht 70 milionë euro.

Ministri i Financave ka deklaruar më herët në komisionet parlamentare se mbështetja buxhetore për Albcontrol do të vazhdojë, pasi kompania nuk ka akses në fondet e saj në Eurocontrol për shkak të vendimit gjyqësor në favor të Beketit.

Në praktikë, kjo do të thotë se humbja e arbitrazhit nuk ka vetëm një faturë të drejtpërdrejtë financiare, por po shndërrohet në një gropë të hapur buxhetore, ku paratë publike derdhen për të mbuluar pasojat e një çështjeje që vazhdon të rëndojë mbi financat e shtetit shqiptar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related