GJKKO ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama në çështjen e njohur si dosja “Partizani”, ku i pandehur është ish-kryeministri Sali Berisha.
Sipas gazetares Klodiana Lala, vendimi është marrë gjatë seancës së fundit, ku trupa gjykuese ka vlerësuar se dëshmia e kreut të qeverisë mund të jetë e rëndësishme për zbardhjen e rrethanave të çështjes.
Avokatët e Berishës kanë argumentuar se roli i Ramës, në kohën kur ai mbante detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranë, është kyç për të sqaruar ndryshimet e destinacionit të pronës së ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sipas mbrojtjes, dëshmia e tij konsiderohet e domosdoshme për një vendimmarrje të drejtë nga ana e gjykatës, pasi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet administrative dhe vendimet që kanë ndikuar në fatin e pronës.
Ndërkohë, procesi gjyqësor pritet të vijojë fillimisht me dëshmitarët e thirrur nga prokuroria, të cilët përfshijnë ish-zyrtarë dhe ekspertë të përfshirë në hetimin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, përpara se të merret në pyetje kryeministri.
