GJKKO lë në burg Durim Bamin pas ekstradimit nga Dubai

Data

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Durim Bamin, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Dubai drejt Shqipërisë.

Bami nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Ilir Murati, i cili kërkoi zëvendësimin e masës me arrest shtëpiak. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Erion Çela, rrëzoi kërkesën, ndërsa në seancë organi i akuzës u përfaqësua nga prokurori i SPAK, Altin Dumani.

Gjatë seancës, mbrojtja ngriti shqetësimin se klienti i tij rrezikon jetën në burgun 313, duke kërkuar transferimin në një institucion tjetër. Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet nga Drejtoria e Burgjeve në bashkëpunim me SPAK.

Durim Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohet për disa vepra penale, përfshirë “sigurimin e kushteve për të kryer vrasje”, “grup të strukturuar kriminal”, “kultivim të bimëve narkotike” dhe “kryerje veprash penale nga organizata kriminale”.

Sipas SPAK, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në plane për atentate dhe në drejtimin e një grupi që merrej me kultivim kanabisi në zonën e Niklës dhe Bubqit gjatë viteve 2019–2020. Hetimet ndaj tij vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related