Dosja hetimore ndaj ish-deputetit Asllan Dogjani, i cili akuzohet për fshehje dhe mosdeklarim pasurie, Gjykata e Posaçme e ka kthyer në SPAK. GJKKO i ka lënë afat një muaj SPAK për plotësimin e hetimeve. Pas seancës, Dogjani u shpreh për mediat se nuk do dorëzohet. Pavarësisht se nuk do jetë më deptuet në Kuvedin e Shqipërisë, Dogjani tha “do jem deputet i popullit, i atyre që më kanë votuar dhe do bëj gjithçka për ta”.
“Sot ka pasur një seancë normale, erdhi organi i akuzës, i tregoj çfarë veprimesh kishte kryer, Gjykata i tha do kryesh dhe këto detyra të tjera dhe do vish pas një muaji. Dalë ngadalë kjo situatë po del që është iniciuar nga Rama, sepse unë nuk jam këtu se kam vjedhur, kam bërë korrupsion e pisllëqe, por po fole dhe është Edi Rama në pushtet, është krim. Nuk dorëzohem”, tha ai. Ndër të tjera, Dogjani u ndal dhe tek zgjedhjet e 11 majit, ku akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për blerjen e votave.
“Jam përballur në Kamëz në Paskuqan, në çdo qendër votimit dhe kam parë se si ishte një organizim i mirëfillte i vjedhjeve të votës. Duhet përgëzuar Edi Rama për fitoren dhe mënyrat që ka përdorur që nga 2013. Nuk ka ndryshuar nga thelbi, pavarësisht skemave që përdor, grupet kriminale ishte ballë për ballë me ne.
