Një ngjarje tragjike ka tronditur Maqedoninë e Veriut, ku ka ndërruar jetë fëmija 2-vjeçar që u plagos rëndë në kokë nga një plumb qorr gjatë natës së ndërrimit të viteve, në zonën e Gazibabës.
Pavarësisht përpjekjeve intensive të stafit mjekësor dhe trajtimit në Klinikën e Neurokirurgjisë, gjendja e fëmijës rezultoi fatale. Ai qëndroi për rreth 24 orë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore, por dëmtimet e rënda në tru nuk lejuan ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, fëmija u pranua fillimisht në Qendrën e Urgjencës dhe më pas u transferua në repartin e kujdesit intensiv të Neurokirurgjisë, ku u intubua, u vendos në ventilim mekanik dhe iu administrua terapi e specializuar. Megjithatë, dëmtimi i rëndë i indit trunor bëri që çdo përpjekje për shpëtimin e jetës së tij të ishte e pamundur.
Ngjarja ndodhi gjatë festimeve të Vitit të Ri, kur fëmija ndodhej jashtë banesës së tij së bashku me nënën, duke parë fishekzjarrët. Në atë moment, ai u godit nga një plumb qorr, duke sjellë këtë fund tragjik që ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer shqetësimin për përdorimin e armëve gjatë festimeve.
