Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes për vrasjen e Fatbardh Lici, një nga çështjet më të bujshme kriminale në Shkodër.
Në bankën e të akuzuarve do të jenë Safet Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Eria Ago, të cilët dyshohen si të përfshirë në ekzekutimin e 53-vjeçarit.
Avokatët mbrojtës kërkuan pushimin e çështjes ose kthimin e saj për hetime të mëtejshme, duke argumentuar mungesë provash, por gjykata vendosi që dosja të vijojë në proces gjyqësor.
Sipas SPAK, vrasja e Fatbardh Licit lidhet me përplasjet e vjetra mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër, një konflikt që ka prodhuar disa ngjarje të rënda kriminale ndër vite.
Hetimet kanë zbuluar se autorët e dyshuar janë identifikuar përmes analizës së kamerave të sigurisë dhe provave të tjera, të cilat kanë ndihmuar në rindërtimin e lëvizjeve të tyre në momentet para dhe pas krimit.
Safet Bajri ishte arrestuar më 21 shkurt 2025 me urdhër të SPAK dhe rezulton i përfshirë edhe në çështje të tjera kriminale, përfshirë dënime të mëparshme jashtë vendit.
Prokuroria dyshon se vrasja është kryer në kuadër të një zinxhiri hakmarrjesh mes grupeve rivale, duke e bërë këtë çështje pjesë të një konflikti më të gjerë kriminal në veri të vendit.
Me kalimin e dosjes për gjykim, pritet që procesi të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë.
