GJKKO e çon për gjykim dosjen, mjeku Edvin Prifti: U bëra i pandehur pas 5 vitesh zhdukje provash dhe manipulimesh

Data

Mjeku Edvin Prifti ka reaguar publikisht pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ta dërguar çështjen e tij në gjyq, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe të pabazuar në prova.

Në deklaratën e tij, Prifti shprehet se pas më shumë se pesë vitesh hetime, auditimet kanë konfirmuar se burimet e tij financiare janë plotësisht të ligjshme. Ai thekson se, pavarësisht përballjes me drejtësinë, vijon të ushtrojë profesionin e tij si mjek, duke shpëtuar jetë çdo ditë.

“Jam zyrtarisht i pandehur pas një kalvari mbi pesë vjet hetimesh, zhdukje provash dhe dosjesh, si dhe manipulimesh. Është një rast i paprecedentë, ku dikush akuzohet për korrupsion pasiv pa pasur asnjë të akuzuar për korrupsion aktiv. Pas pesë vitesh, edhe auditi i SPAK ka konfirmuar se burimet e mia financiare janë plotësisht të ligjshme”, shprehet Prifti.

Ai bën me dije se në seancën paraprake, pas një pritjeje dyvjeçare, GJKKO vendosi ta çojë çështjen për gjykim, një vendim që, sipas tij, nuk e ka befasuar. Prifti shton se ka refuzuar kategorikisht gjykimin e shkurtuar, duke u shprehur i gatshëm të përballet me çdo fakt dhe argument në proces të hapur.

Në deklaratën e tij, mjeku fton publikisht pacientët e tij që, nëse e shohin të arsyeshme, të dëshmojnë në gjykatë për figurën dhe punën e tij profesionale.

Ndërkohë, Prifti thekson se menjëherë pas seancës gjyqësore është rikthyer në sallën e operacionit në QSUT, ku ka kryer me sukses ndërhyrje kirurgjikale. Ai përmend gjithashtu një operacion tepër kompleks të realizuar së fundmi në bashkëpunim me kolegët e tij, në një pacient 38-vjeçar me komplikacione serioze kardiake, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

“Pavarësisht gjykatave dhe prokurorëve, kjo ishte një ditë e suksesshme. Askush nuk mund të më heqë lumturinë që ndjej sa herë shpëtojmë një jetë më shumë”, përfundon reagimin e tij mjeku Edvin Prifti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related