Berisha për pezullimin e Ballukut: “Rama po mbron veten dhe Lubin nga vjedhja e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë”

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot në një konferencë për media lidhur me debatin që ka shpërthyer pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.

Berisha u ndal te kundërshtimi publik që kryeministri Edi Rama i ka bërë vendimit të Gjykatës së Posaçme, duke deklaruar se kreu i qeverisë po ushtron “presion të jashtëzakonshëm” ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Rama po përdor metoda antiligjore për t’i diktuar gjykatës vendimin e tij”

Berisha akuzoi Ramën se po tenton të bllokojë hetimin dhe procesin gjyqësor për Ballukun, me qëllim mbrojtjen e vetes nga implikimi në aferën e tunelit të Llogarasë:

“Rama po bllokon luftën kundër korrupsionit, për të mbrojtur veten dhe Lubin Ballukun nga vjedhja e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë. Sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese janë të papara ndonjëherë në historinë e këtij vendi.”

Ai shtoi se presionet dhe ndërhyrjet ndaj gjykatave po bëhen hapur dhe me intensitet të lartë:

“Po përdoren kërcënime dhe metoda kriminale nga mëngjesi deri në darkë. Gjykata, në kundërshtim me çdo precedent, ka pranuar kërkesën dhe i ka dhënë Ramës kohë për presion.”

Shoqata e Gjyqtarëve reagon, Rama kundërpërgjigjet

Më herët sot, Shoqata e Gjyqtarëve shprehu publikisht shqetësim për deklaratat e Ramës, duke i cilësuar si “mesazh presioni” ndaj institucioneve të drejtësisë.

Kryeministri reagoi duke thënë se shoqata “nuk e di kuptimin e fjalës presion” dhe se ajo “nuk flet kur presione bëjnë të tjerë”.

Berisha: “Rama mashtroi me Komisionin e Venecias”

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri iu referua edhe deklaratave të Ramës ku përmendej Komisioni i Venecias:

“Mashtrimi i Ramës me citime të rreme të Komisionit të Venecias mori përgjigjen që meritonte. Ky Komision nuk ka asnjë paragraf që thotë se ministri nuk mund të pezullohet. Përkundrazi, pezullimi konsiderohet akt kushtetues.”

Sipas tij, kryeministri ka braktisur këtë argument pas reagimeve të ekspertëve.

“Rama e ka krijuar vetë hallin e tij – Balluku do ta marrë me vete”

Berisha deklaroi se Rama është “pa asnjë mbrojtje politike dhe juridike”, ndërsa bëri edhe një paralajmërim:

“Ai e ka krijuar vetë hallin e tij, duke urdhëruar Lubin Ballukun dhe duke e bërë bashkëpunëtore në krim. Ajo e ka marrë vendimin, ka për ta marrë edhe atë me vete.”

Thirrja për qytetarët

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të mos heshtin:

“Qytetarë, mbetet vetëm fjala dhe guximi juaj për të folur për veten dhe të ardhmen e vendit. Populli shqiptar nuk ka për të pranuar një turpërim të tillë të institucioneve.”

Në fund, ai vlerësoi reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve, duke e cilësuar si “qëndrim në mbrojtje të ligjit dhe Kushtetutës”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related