Prokuroria e Posaçme ka nisur hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 shtetasve nga Kosova, pas dyshimeve se këto pasuri mund të jenë krijuar nga të ardhura kriminale, kryesisht nga trafiku i drogës dhe pastrimi i parave.
Hetimet po kryhen në zbatim të një letërporosie të ardhur nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë, të cilat po hetojnë 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar. Sipas autoriteteve kosovare, ky grup dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafik narkotikësh dhe në pastrimin e fitimeve të përfituara nga kjo veprimtari.
Personat nën hetim janë identifikuar pas analizimit të komunikimeve të zhvilluara përmes aplikacionit të enkriptuar SKY ECC, të siguruara nga autoritetet e drejtësisë belge dhe franceze. Kërkesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës është miratuar nga Gjykata e Posaçme, duke i dhënë SPAK autorizimin për të kryer verifikime në territorin shqiptar.
Nga hetimet në Kosovë ka rezultuar se fitimet e përfituara nga aktiviteti kriminal janë transferuar nëpërmjet bizneseve të ndryshme, të krijuara nga vetë të dyshuarit ose nga persona të tjerë të lidhur me ta. Po ashtu, një pjesë e parave dyshohet se është investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si toka, banesa, shtëpi dhe automjete, me qëllim fshehjen e burimit të vërtetë të të ardhurave.
Sipas të dhënave hetimore, investime të tilla janë kryer jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera, përfshirë Republikën e Shqipërisë.
Për këtë arsye, autoritetet kosovare kanë kërkuar që të verifikohen edhe 58 persona të tjerë, kryesisht familjarë të të dyshuarve, në emër të të cilëve mund të jenë regjistruar pasuritë e dyshuara si të paligjshme.
Në kuadër të kësaj procedure, SPAK do të hetojë pasuritë e paluajtshme, aktivitetet ekonomike, si dhe llogaritë bankare të mundshme në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, për të përcaktuar nëse këto pasuri lidhen me veprimtari kriminale.
