Deputeti i Partisë Demokratike dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, zhvilloi një ndër fjalimet më të ashpra ndaj mazhorancës gjatë seancës plenare të së mërkurës, duke deklaruar se “e pandehur sot është e gjithë qeveria Rama–Balluku”, ndërsa “e vërteta e zgjedhjeve të 11 majit po del nga tuneli i Llogarasë”.
Gjekmarkaj akuzoi qeverinë për kapje të shtetit, manipulim të procesit zgjedhor dhe lidhje me korrupsionin, ndërsa OSBE-ODIHR i cilësoi si provë të qartë të një atentati ndaj demokracisë shqiptare.
“Mazhoranca është e paralizuar nga frika”
“Ju ecni mbi akull. Në fytyrat tuaja ka tmerr. E vërteta e zgjedhjeve po del nga tuneli i Llogarasë dhe rri këtu, këmbëkryq,” tha Gjekmarkaj duke iu referuar hetimeve të SPAK për aferat e tenderave, ku është e pandehur zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Sipas tij, shteti është “kthyer në pronë partie”, ndërsa qytetarët janë të pambrojtur përballë krimit dhe korrupsionit.
“Demokracisë iu bë atentat”
Gjekmarkaj theksoi se raporti i OSBE-ODIHR dokumentoi përdorimin masiv të administratës, fondeve publike dhe presionit ndaj votuesve në fushatën e 11 majit.
“Ky raport ju rri mbi kokë si xhebraili,” tha ai.
Ai përshkroi një panoramë të rëndë të realitetit politik: patronazhizëm, presion mbi punonjësit e shtetit, përdorim i burimeve të qeverisë për fushatë dhe ndikim të grupeve kriminale në disa qarqe.
Mesazhi për SHBA dhe paralajmërimi politik
Deputeti demokrat kujtoi deklaratat e zyrtarëve amerikanë për rrezikun e shuarjes së pluralizmit në Shqipëri, duke u shprehur se “SHBA po flet hapur” dhe se kjo është një paralajmërim serioz për qeverinë.
“Kur shuhet pluralizmi, shuhet liria,” tha ai, duke akuzuar mazhorancën se po e shndërron demokracinë në një fasadë të kontrolluar.
“Republika është marrë peng”
Gjekmarkaj deklaroi se institucionet kryesore, nga KQZ te AMA, janë nën ndikim politik dhe se qeveria kërkon të monopolizojë pushtetin.
“Shteti nuk është më neutral; është veshur me ngjyrat e partisë,” tha ai.
Thirrja e fortë në fund: Demokracia nuk dorëzohet
Në mbyllje të fjalës së tij, deputeti theksoi se beteja politike e opozitës nuk është për poste, por për të drejtat themelore të qytetarëve:
“Ne kërkojmë zgjedhje të lira, të ndershme, institucione të pavarura dhe një Republikë që i takon popullit, jo partisë.”
