Gent Progni, një nga protestuesit e liruar pas arrestimit gjatë protestave në Tiranë, iu drejtua pjesëmarrësve në tubimin e mbrëmjes, duke i falënderuar për mbështetjen dhe duke ngritur pretendime për dhunë gjatë qëndrimit në komisariat.
Sipas Prognit, zërat e protestuesve dëgjoheshin edhe nga ambientet ku mbaheshin të arrestuarit.
“Njëri nga djemtë në qeli, sa herë që ju dëgjonte, thoshte: ‘Erdhi flladi i lirisë’”, u shpreh ai.
Progni tha se kishte menduar të mungonte një ditë në protestë pas pjesëmarrjes së vazhdueshme, por arrestimi, sipas tij, e ka bërë edhe më të vendosur.
“Falënderoj Ramën për tri ditë pushim, sepse na ka bërë më të fortë”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Progni pretendoi se ai dhe protestues të tjerë janë dhunuar gjatë shoqërimit dhe qëndrimit në komisariat.
“Na kanë dhunuar me pranga. E kam kokën me gunga dhe trupin me nxirje, por jemi më të fortë”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se, sipas përvojës së tij, shumë efektivë të Policisë së Shtetit kanë shfaqur mirëkuptim ndaj protestuesve.
“Në Komisariatin nr. 4, 80 për qind e policëve ishin me ne, përveç shefave patronazhistë”, pretendoi Progni.
Pretendimet e bëra nga Progni nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me akuzat për dhunë apo deklaratat e tij.
