SPAK ka dhënë detaje të reja nga operacioni i zhvilluar kundër mashtrimit kompjuterik përmes Call Center-ëve në Tiranë, ku u zbulua edhe një qendër tjetër thirrjesh në ndërtim e sipër. Hetimet tregojnë se rrjeti kriminal mashtronte shtetas italianë dhe europianë, duke i nxitur të investonin në platforma të rreme të kriptomonedhave.
Sipas njoftimit zyrtar, autorët kishin ndërtuar një strukturë të sofistikuar sigurie, me kamera, perimetra mbrojtës dhe personel vëzhgimi civil. Pas dyshimeve për ndërhyrje të autoriteteve, ambientet e Call Center-it në rrugën “Ibrahim Rugova” u boshatisën gjatë natës, ndërsa pajisjet u transportuan drejt një ambienti tjetër në godinën “Downtown One”.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, disa persona u kapën në flagrancë gjatë transportimit të pajisjeve. Në total janë ushtruar kontrolle në 28 ambiente, përfshirë banesa, zyra, automjete dhe garazhe, ku janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, serverë, karta SIM, dokumente, sisteme monitorimi, si dhe automjete, përfshirë edhe një Ferrari luksoz, që dyshohet se i përket organizatorëve të aktivitetit kriminal.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar 6 persona në flagrancë, janë ndaluar edhe 2 të tjerë me urdhër të prokurorisë, ndërsa 3 persona janë shpallur në kërkim. SPAK vijon hetimet për identifikimin e plotë të rrjetit dhe të viktimave, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, duke paralajmëruar se lufta ndaj mashtrimeve online përmes Call Center-ëve do të mbetet prioritet.
