Akuza të forta janë artikuluar nga gazetari Julian Hoxhaj, i cili pretendon se në Shqipëri po funksionon një skemë e organizuar korrupsioni dhe pastrimi parash, që përfshin nivele të larta të qeverisë.
Në një intervistë televizive, ai deklaroi se korrupsioni nuk është i kufizuar vetëm te ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, por sipas tij është pjesë e një mekanizmi të strukturuar, ku përfshihen zyrtarë, drejtues institucionesh dhe biznese të lidhura me politikën.
Hoxhaj përshkroi një “qark të mbyllur”, ku paratë e përfituara nga tenderat publikë dhe koncesionet, sipas tij, riciklohen përmes sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Ai përmendi raste konkrete, si dhënia e tokave për parqe fotovoltaike në zona të ndryshme, përfshirë bregdetin e Semanit dhe zona në jug të vendit.
Në deklaratat e tij, gazetari përmendi edhe çështje të tjera të debatueshme, si pronat në Himarë dhe projekte infrastrukturore si rruga Qukës–Qafë Plloçë, të cilat i cilësoi si shembuj të keqmenaxhimit dhe korrupsionit.
Ai theksoi se, sipas tij, asnjë projekt i madh ndërtimi apo licencë nuk jepet pa miratimin e niveleve më të larta qeveritare, duke përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.
Gjithashtu, Hoxhaj pretendoi se institucionet si SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit po zhvillojnë hetime për skema të mundshme të pastrimit të parave, përfshirë edhe sektorin imobiliar dhe kompanitë që përfitojnë tendera publikë.
Sipas tij, kjo situatë po dëmton konkurrencën e ndershme dhe po krijon një sistem ku një grup i kufizuar biznesesh përfiton në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa bizneset e tjera e kanë të vështirë të operojnë në treg.
Deri tani nuk ka reagime zyrtare nga përfaqësues të qeverisë lidhur me këto akuza, ndërsa çështjet e përmendura mbeten pjesë e debatit publik dhe politik në vend.
