Gazetari Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën një ditë më parë në një aksident rrugor pranë zonës së plazhit të Zvërnecit, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Sipas njoftimit të publikuar nga familja, ceremonia e varrimit do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik 2026. Kortezhi mortor do të niset në orën 12:00 nga banesa e të ndjerit në lagjen “7 Pallatet”, me ndalesë pranë Teatrit “Petro Marko”, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në Varrezat e Vlorës në orën 14:00.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Vlorës, 40-vjeçari po udhëtonte me një mjet tip ATV (motor me katër rrota), kur, për shkaqe që janë ende nën hetim, humbi kontrollin e drejtimit dhe mjeti u përmbys.
Si pasojë e aksidentit, Mehmeti pësoi dëmtime të rënda që rezultuan fatale. Me të udhëtonte edhe një 18-vjeçar, i cili mbeti i plagosur dhe mori ndihmë mjekësore.
Sqarim: Rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit vijojnë të hetohen nga autoritetet kompetente.
