Fundviti i sapo lënë pas ka sjellë një klimë të thellë pesimizmi në ekonomi, duke reflektuar pasigurinë e qytetarëve dhe pakënaqësinë e bizneseve. Gjatë muajit dhjetor, treguesi i ndjesisë ekonomike ka pësuar rënie, duke sinjalizuar dobësim të aftësisë për konsum dhe investime. Ky nivel rezulton më i ulëti i regjistruar në më shumë se një vit.
Ekspertët e ekonomisë theksojnë se, ndonëse shifrat zyrtare flasin për rritje ekonomike, kjo nuk është përkthyer në rritje reale të mirëqenies për qytetarët. Të ardhurat nuk po ndjekin ritmin e rritjes së çmimeve, ndërsa pasiguria mbetet faktori kryesor që frenon shpenzimet.
Veçanërisht i goditur është sektori i shërbimeve. Supermarketet, baret dhe restorantet e kanë mbyllur vitin me rënie të ndjeshme të besimit, pavarësisht flukseve të larta turistike. Bizneset raportojnë se shitjet nuk kanë përmbushur pritshmëritë dhe se konsumatori është bërë më i kujdesshëm se kurrë.
Në të njëjtën linjë është edhe tregtia, ku dominon pasiguria. Qytetarët shprehen se nuk kanë më siguri për çmimet dhe se çdo ndryshim i papritur i bën ata të kufizojnë shpenzimet. Frika nga një rikthim i inflacionit, edhe pse treguesit zyrtarë flasin për stabilizim, mbetet e fortë.
Konsumatorët ndihen më të varfër. Shumë prej tyre deklarojnë se të ardhurat mjaftojnë vetëm për nevojat bazë, ndërsa pagat kanë mbetur në vendnumëro. Rritja e kostos së jetesës po ushtron presion të vazhdueshëm mbi familjet, duke shtuar dëshirën për emigrim si alternativë shpëtimi.
Në kontrast me këtë panoramë, sektori i ndërtimit shfaqet si i vetmi që ruan optimizëm. Besimi në këtë fushë ka shënuar rritje të ndjeshme, duke qëndruar ndjeshëm mbi mesataren historike dhe duke reflektuar një realitet të ndryshëm nga ai që përjeton pjesa më e madhe e ekonomisë.
