Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi vijoi me akuzat e ashpra ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, të cilin e cilësoi një vrasës me pagesë ndaj opozitës
Ai u shpreh në A2 CNN se fati i Altin Dumanit do të jetë më i zi se ai i Katicës në Maqedoninë e Veriut.
“Fundi i Altin Dumanit në Shqipëri do të jetë më i zi se i Katicës në Maqedoni. Besoj se e dini fatin e kryeprokurores speciale në Maqedoninë e Veriut. Këto paralajmërojnë fundin e Altin Dumanit që është një vrasës me pagesë që nuk ka as dinjitetin e kushëririt të tij Nuredin Dumani.”, tha Blushi.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së tha gjithashtu se në dosjen e ngritur ndaj ish-presidentit Ilir Meta nuk ka asnjë provë apo fakt.
Në lidhje me çështjen e lobingjeve, Blushi u shpreh se në këtë periudhë Meta ka qenë në SHBA në cilësinë e Kreut të Kuvendit dhe nuk ka pasur nevojë të paguante asgjë dhe askënd.
