Një sondazh i “Monitor” me 1044 persona (857 jetojnë në vend dhe 187 jashtë) i cili u zhvillua për rreth një muaj, nga data 11 shtator, zbuloi një trend të ri të emigrimit të personave të arsimuar dhe në gjendje të mirë ekonomike. Mbi 94% e pjesëmarrësve ishin me arsim të lartë dhe gati gjysma ishin me gradë PHD dhe 57 doktorantë. Nga të anketuarit që jetonin në Shqipëri, 40% kishin bërë gati planet dhe infrastrukturën për t’u larguar gjatë dy viteve në vijim. 33% e atyre që pohuan se kanë menduar të largohen i takojnë grupmoshës 40-49 vjeç, 38.5% grupmoshës 30-39 vjeç. Ndryshe nga popullata e përgjithshme që shikon si arsye kryesore të emigrimit, statusin ekonomik dhe punësimin, në shtresën e mesme dhe te profesionistët, arsyeja kryesore pse kanë vendosur të largohen nga Shqipëria është mungesa e shpresës se gjërat mund të përmirësohen dhe gjithashtu vlerësojnë të rëndësishme mungesën e cilësisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore. Ja të gjitha arsyet që po largojnë shtresën e mesme.
Emigracioni në Shqipëri ka marrë përmasat e një gangrene, e cila ka mbetur pa një diagnozë, e për rrjedhojë edhe pa një kurë se si mund të fashitet para se efektet të jenë të pandreqshme.
Hemorragjia e ikjeve që nisi me shembjen e sistemit komunist në vitin 1990 vijon të jetë e fortë edhe pas më shumë se 30 vitesh dhe së fundmi po gjen përhapje në kategorinë e të arsimuarve dhe profesionistëve që përfaqësojnë shtresën e mesme.
Një sondazh i “Monitor”, që nisi më 11 shtator të këtij viti dhe zgjati rreth një muaj, ku u intervistuan 1044 persona rreth arsyeve që çojnë individët dhe familjet të largohen nga Shqipëria, tregoi për një pakënaqësi të lartë me standardet e jetës në Shqipëri, mungesën e perspektivës për të ardhmen, cilësinë e dobët në arsim dhe shëndetësi, korrupsionin e lartë etj.
Sondazhi i zhvillua online, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting- Angazhimi i qytetarëve në raportim). Kampioni është rastësor dhe nuk përbën gjetje shkencore.
