Udhëtimet e kryeministrit Edi Rama me avionë privatë luksozë janë rikthyer në qendër të debatit publik, pas fluturimit të tij të fundit drejt Izraelit. Çështja u komentua ashpër nga kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, gjatë një emisioni televiziv.
Paloka akuzoi Ramën se bën një jetë luksi në kurriz të taksapaguesve, duke theksuar se vetëm për udhëtime me charter privatë, sipas tij, janë shpenzuar rreth 20 milionë euro. Ai kujtoi se opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje, por mazhoranca e ka refuzuar.
Deputeti demokrat u ndal edhe te kompania “Air Albania”, duke pretenduar se ajo u krijua për t’i siguruar kryeministrit një avion të personalizuar, i cili është përdorur jo vetëm për udhëtime shtetërore, por edhe private, me familjarë dhe miq.
Sipas Palokës, edhe kur udhëtimet nuk paguhen drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, kostot përfundojnë sërish mbi qytetarët, përmes favoreve dhe koncesioneve që qeveria u jep kompanive apo individëve që mbulojnë këto shpenzime. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës, duke e cilësuar vendimin për t’i shpallur udhëtimet e kryeministrit “sekret shtetëror” si të papranueshëm në një vend demokratik.
Në deklaratën e tij, Paloka theksoi se arroganca e pushtetit buron nga frika që, sipas tij, kryeministri ka ndaj reagimit qytetar. Ai paralajmëroi se kjo situatë nuk do të zgjasë pafundësisht.
“Rama do të largohet në momentin që zemërimi i shqiptarëve të tejkalojë frikën. Frika nuk zgjat përjetë,” u shpreh Paloka, duke shtuar se kryeministri, pavarësisht pamjes së fortë dhe arrogante, është ai që ka më shumë frikë nga qytetarët.
