Një qytetare ka denoncuar për JOQ një rast shqetësues mashtrimi nga kompania e skuterëve elektrikë Bin Bin, e cila operon në Tiranë me lejen zyrtare të Bashkisë.
Ajo tregon se, pasi skanoi një skuter përmes aplikacionit të tyre, mjeti nuk funksionoi fare, por aplikacioni gjithsesi i zbriti pagesën nga llogaria, duke i lënë një faturë të papaguar.
Për ta zgjidhur situatën, qytetarja u detyrua të shtonte 8 mijë lekë të vjetra në wallet-in digjital, por këto para, sipas saj, u zhdukën dhe nuk figurojnë askund. Ajo shprehet se ka kontaktuar disa herë shërbimin e klientit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndërsa problemet janë bërë të përsëritura për shumë përdorues të tjerë.
Denoncimi i plotë:
“Po ju shkruaj për të denoncuar një rast mashtrimi dhe papërgjegjshmërie nga kompania e skuterëve elektrikë Bin Bin. Skanova një skuter përmes aplikacionit të tyre, por skuteri nuk u nis fare. Megjithatë, aplikacioni më bëri charge kot, dhe më la me një faturë të papaguar. Për ta zgjidhur, detyrimisht shtova 8 mijë lekë në wallet-in tim, por paratë më janë marrë kot dhe nuk figurojnë askund më pas. Jam përpjekur disa herë t’i shkruaj shërbimit të klientit të BinBin, por nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje. Nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë dhe po i injorojnë ankesat e përdoruesve. Kjo sjellje është e papranueshme dhe shumë shqetësuese për konsumatorët. Po ndodh me shumë njerëz dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ky është abuzim dhe vjedhje e hapur me pagesat e qytetarëve. Është dhe një video në faqen e tyre të tiktokut ku e kanë postuar tani këto kohët e fundit, plot ankesa dhe pa pika përgjegjshmërie bëjnë hide komentet e qytetarëve me të njëjtin problem! Anonim iu lutem!”
