Analisti Fitim Zekthi ka reaguar ndaj debatit të fundit politik rreth Dritan Goxhaj, duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për përpjekje, sipas tij, për të diskredituar protestën qytetare përmes sulmeve personale ndaj individëve që marrin pjesë në të.
Në një reagim publik, Zekthi e cilësoi të papranueshme etiketimin e Goxhajt si mbështetës të interesave iraniane, duke argumentuar se ai ka qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës dhe se aktiviteti i tij publik lidhet me analizat e sigurisë dhe çështjeve ndërkombëtare.
Sipas Zekthit, qëndrimet e Goxhajt mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme apo mbi politikën e jashtme amerikane nuk mund të përdoren si argument për ta paraqitur atë si përfaqësues të interesave të huaja.
Analisti përmendi se kritika të ngjashme ndaj ndërhyrjeve ushtarake amerikane janë shprehur ndër vite edhe nga akademikë dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë, duke argumentuar se debati mbi këto çështje është pjesë e diskutimeve normale në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Një tjetër pikë e kritikës së tij ishte ajo që ai e cilësoi si përpjekje për ta paraqitur protestën si antisemitike ose kundër Izraelit. Zekthi e hodhi poshtë këtë interpretim, duke deklaruar se protesta përfshin individë me bindje të ndryshme politike, fetare dhe ideologjike, të bashkuar kryesisht nga pakënaqësia ndaj qeverisjes dhe gjendjes ekonomike e sociale në vend.
Sipas tij, Shqipëria nuk ka traditë antisemitizmi dhe përfshirja e këtij elementi në debatin politik dëmton imazhin e vendit dhe largon vëmendjen nga çështjet reale që kanë nxitur protestat.
Në përfundim, Zekthi argumentoi se qeveria dhe mbështetësit e saj duhet t’i kundërpërgjigjen protestës me argumente politike dhe institucionale, jo me etiketime apo akuza që, sipas tij, cenojnë interesin kombëtar dhe deformojnë debatin publik.
Reagimi i tij vjen në vazhdën e polemikave të ditëve të fundit mes qeverisë, opozitës dhe pjesëmarrësve në protestat që po zhvillohen në Tiranë, ku çështja e Dritan Goxhajt është kthyer në një nga temat më të diskutuara të debatit politik.
