Mbështetja financiare dhe profesionale për produksionet filmike studentore tashmë merr formë konkrete. Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Universiteti i Arteve në Tiranë kanë nënshkruar marrëveshjen e parë të bashkëpunimit, me synim fuqizimin e talenteve të reja në kinematografi.
Marrëveshja parashikon përfshirjen direkte të studentëve në projektet filmike që financohen nga QKK, duke u dhënë atyre mundësinë të punojnë në kushte reale produksioni. Studentët do të angazhohen praktikisht në fusha si aktrimi, regjia, skenografia, montazhi dhe disiplina të tjera të kinemasë, gjatë gjithë procesit të realizimit të filmave.
Ky bashkëpunim synon të krijojë një lidhje të qëndrueshme mes arsimit artistik dhe industrisë së filmit, duke i pajisur të rinjtë jo vetëm me njohuri teorike, por edhe me eksperiencë konkrete profesionale.
Sipas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një brezi të ri kineastësh, të cilët në përfundim të studimeve do të kenë një portofol profesional dhe projekte të vlefshme për nisjen e karrierës së tyre.
Institucioni bën të ditur se kjo është vetëm marrëveshja e parë, ndërsa në vijim priten iniciativa të tjera të përbashkëta me Universitetin e Arteve, të fokusuara në zhvillimin e industrisë së filmit dhe në përmbushjen e nevojave reale të saj.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë, e krijuar në vitin 1997, është institucioni kryesor që inkurajon, financon dhe promovon prodhimin kinematografik në Shqipëri, duke luajtur një rol kyç në zhvillimin e industrisë së filmit në vend.
