Mbi 1 miliard veta kanë votuar në vitin 2024. A ka fituar demokracia? Në gjysmën e botës janë mbajtur zgjedhje këtë vit, shkruan The Economist.
Kur amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ardhshëm, demokracia do të përballet me provën e saj më të madhe, në një vit kur është vënë përballë disa sfidave të jashtëzakonshme.
Ajo që do të ndodhë në Amerikë (një superfuqi që mishëron lirinë për shumë njerëz), mund të ndikojë në perceptimet mbi demokracitë në mbarë botën. Një rezultat i çrregullt ose i dhunshëm i zgjedhjeve amerikane do të nxiste autokratët kudo në botë dhe do të ulte besimin në idealin e sundimit nga popujt.
Anasjelltas, nëse do të jenë zgjedhje ku humbësi do të pranojë me hijeshi humbjen, siç është zakoni në një demokraci moderne, kjo do të nxiste rimëkëmbje demokratike në disa shtete të botës, sidomos duke pasur parasysh faktin se këtë vit, janë mbajtur zgjedhje në shumë vende të botës.
Këtë vit, 67 shtete, me popullsi të përgjithshme prej rreth 3.4 miliardë banorësh, kanë mbajtur tashmë zgjedhje kombëtare. Deri në fund të vitit 2024, pritet të votojnë edhe 440 milionë qytetarë të tjerë në botë. The Economist ka vërejtur edhe më parë se ky vit do të ishte një “provë e stërmadhe për botën demokratike”.
Në fund të fundit, në 18 vitet e fundit, numri i shteteve ku liria ka rënë në fusha si votimi, media e lirë dhe shtypja e pakicave, ka qenë më i madh se numri i shteteve ku këto liri janë përmirësuar, sipas firmës amerikane Freedom House.
Një në tre njerëz që votuan ose do të votojnë në vitin 2024, jetojnë në një shtet ku cilësia e zgjedhjeve është përkeqësuar ndjeshëm në pesë vitet e fundit.
Lajme të mira e të këqija
Atëherë, çfarë është vënë re deri tani këtë vit, pasi janë hedhur dhe numëruar pothuajse 90% e votave në mbarë botën? Konstatojmë se demokracia ka qenë mjaftueshëm elastike në rreth 42 shtete, zgjedhjet e të cilave ishin në përgjithësi të lira, me pjesëmarrje të mjaftueshme votuesish, manipulime dhe dhunë të kufizuar, dhe pa tentativa për grushte shteti ndaj qeverisë në pushtet.
