Festat e fundvitit dhe zgjedhjet në Kosovë rrisin fluksin në pikën kufitare të Morinës

Data

Fluks i shtuar lëvizjesh është regjistruar në pikën kufitare të Morinës gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të festave të fundvitit dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Kufitare dhe Migracioni Morinë, në hyrje të territorit shqiptar janë regjistruar 10 684 shtetas, të cilët kanë kaluar kufirin me 4 472 automjete.

Ndërkohë, fluksi më i lartë është shënuar në dalje. Gjatë 24 orëve të fundit, nga Shqipëria kanë dalë 12 601 shtetas me 4 976 automjete, duke treguar një lëvizje më të madhe drejt Kosovës.

Autoritetet bëjnë me dije se në pikën kufitare të Morinës po punohet me 12 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje, me qëllim përballimin e fluksit dhe shmangien e pritjeve të gjata.

Sipas burimeve zyrtare, numri i lartë i qytetarëve në dalje lidhet kryesisht me emigrantë kosovarë të ardhur nga Italia, Zvicra dhe Gjermania, të cilët po kalojnë tranzit përmes Shqipërisë.

Shumë prej tyre po udhëtojnë për të festuar ndërrimin e viteve, por edhe për të marrë pjesë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Autoritetet kufitare njoftojnë se do të vijojnë të jenë në gatishmëri për të menaxhuar fluksin edhe në orët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related