Edi Rama mbledh grupin socialist dhe ministrat, kërkon forcimin e rreshtit nga deputetët e pakënaqur, paralajmërime për të prekurit e SPAK, në pikëpyetje drejtuesi politik i PS i qarkut Tiranë

Data

Goditjet e Prokurorisë së Posaçme në nivelet më të larta të qeverisë kanë vendosur në pozita shumë të vështira kryeministrin Edi Rama. Thirrja në SPAK e kryebashkiakut Erion Veliaj për të dhënë llogari për aferën e inceneratorit të Tiranës, ka bërë që të rigjallërohet opozita brenda Partisë Socialiste. Mësohet se kjo situatë ka detyruar Ramën të mbledhë sot në orën 10:00 grupin e PS dhe ministrat në Kryesinë e Kuvendit. Rama në një postim në Facebook, i veshur me bluzën e Forcave të Armatosura shkroi dje se çdo gjë do të transmetohet live. Fakti që kreu i qeverisë zgjodhi të paraqitej me këtë veshje tregon se do ketë një disiplinë ushtarake, duke nënkuptuar se në radhët e grupit të mazhorancës do ketë llogaridhënie dhe plotësim afatesh kohore në detyrat që ai pritet të caktojë, ku çdo gjë do të jetë e përpiktë si në ushtri. Në fokus të kësaj mbledhje të jashtëzakonshme, sipas Ramës do të jenë qeverisja-Ligji-Korrupsioni dhe një nismë e re Kombëtare për Shqipërinë 2030.  Kjo dalje urgjente dhe e papritur e kryesocialistit është që të forcojë rreshtin nga deputetët e pakënaqur. Gjithmonë kur SPAK nis hetimet për bashkëpunëtorët e tij, Rama në fillim e merr në mbrojtje kur nuk ka asnjë gjë zyrtare. Pasi çështja trashet, kryeministri e përjashton nga qeveria, e zhvesh nga funksionet dhe e akuzon se ka ngrënë dardha pas shpine. Asnjëherë nuk ka patur debate, apo akuza ndaj kreut të qeverisë nga të vetët kur ata janë në detyrë. Kur Rama i lëshon, siç bëri me Arben Ahmetajt, atëherë dalin të palarat. Tashmë gjysma e kabinetit të tij që është nën hetim nga SPAK e ka kapur filmin dhe duan të përgatiten për çdo të papritur. Rama dëshiron të jetë gjithmonë një hap para dhe mesazhet e tij se në fokus do të jetë drejtësia do të sjellë reagime të forta.

Paralajmërimi për të prekurit e SPAK

E sigurt është që Edi Rama do iu mbyllë dyert e kandidimit për në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 të gjithë zyrtarëve të lartë socialistë që janë përfshirë në afera korruptive e kriminale dhe që kanë llogari të hapura me drejtësinë. “Ky është një proces 10 vjeçar dhe këtu bëhet fjalë, se nuk dua fare t’i përmend ata njerëz sepse janë në hallet e tyre, dhe kanë mbaruar punë me mua dhe politikën dhe publikun, por bëhet fjalë për një numërim të caktuar që fillon ditën e parë, një. E dyta, pjesa më e madhe ose mos të tërë, kur kanë filluar të kenë probleme me drejtësinë, kanë qenë të larguar nga qeveria. Pra, kur më thua çfarë duhet të bëjmë ne, çfarë duhet të bëjmë ne faktikisht?”, ka thënë Edi Rama. Në pikëpyetje këtu është drejtuesi politik i qarkut të PS, Erion Veliaj.  Kryebashkiaku po përballet me skandalet që kanë plasur në Bashkinë e Tiranës me dosjen “5 D”, si edhe me aferën e inceneratorit të Tiranës, për të cilat dha llogari para pak ditësh duke u marrë në pyetje për 8 orë në SPAK. Ka zëra se Rama e ka zëvendësuar Veliajn si drejtues politik i qarkut me ministrin e Jashtëm Igli Hasani. Ky fakt ende nuk është bërë publik për mediat, por nëse do të jetë i vërtetë, atëherë le dyshime të forta se kreu i qeverisë ia ka “lëshuar” kryebashkiakun e Tiranës, SPAK-ut, pasi të njëjtën gjë bëri dikur dhe me Arben Ahmetajn, duke e zhveshur nga çdo post në parti dhe në qeveri. Kur e pyetën Veliajn dje për këto zëra ai tha se do të vazhdojë misionin e tij edhe nëse Rama e shkarkon. “Unë kam punuar si aktivist edhe si njeri që bën fushata në PS pa patur asnjë ofiq, kështu qe do ta bëj këtë gjithmonë, me ofiq ose pa ofiq, me Bashki ose pa bashki, me titull ose pa titull. Sepse unë besoj që njerëzit që i trajtojnë betejat e tyre si pjesë një misioni janë ata që i fitojnë betejat dhe e çojnë misionin deri në fund. Njerëzit që pastaj, në varësi të ofiqit që kanë, dhe të kujtoj që në 2009 pata një super disfatë, për një grusht votash humba mandatin ne Berat, dhe nëse vure re nga 2009 deri në 2013 përfshi edhe 21 janarin, angazhimet e tjera, punën me diasporën, e bëra pa patur asnjë ofiq. Kjo do të thotë që në botë janë ndarë njerëzit, që e ndjejnë që kanë një vokacion dhe kanë një mision dhe njerëz që pastaj mendojnë që vetëm kur të kem ofiqin dhe spaletat do shkrep pushkën”, tha ai. Mbetet që të shohim sot në takimin e jashtëzakonshëm nëse Rama do ta hedhë “live” në gojën e SPAK Veliajn.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related