Fermerët e zonës së Dimal kanë dalë në protestë, duke ngritur shqetësimin për çmimet e ulëta të produkteve bujqësore dhe mungesën e dëmshpërblimeve nga shteti.
Sipas tyre, prodhimet po shiten me çmime shumë të ulëta, duke mos mbuluar as kostot e prodhimit, ndërsa premtimet për kompensim pas dëmeve nga përmbytjet ende nuk janë realizuar.
Një nga fermerët u shpreh se është detyruar të bëjë mbjellje të dyta, pasi të parat u shkatërruan nga përmbytjet, duke shtuar se institucionet i kanë lënë në harresë.
Të tjerë protestues ngritën shqetësime për mënyrën e funksionimit të pikave të grumbullimit, duke i akuzuar për ulje të njëanshme të çmimeve. Sipas tyre, çmimi i kastravecit është ulur ndjeshëm, ndërsa transaksionet shpesh kryhen pa transparencë, përmes faturave jozyrtare.
Fermerët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të kontrolluar tregun, për të vendosur rregulla të qarta në pikat e grumbullimit dhe për të dhënë dëmshpërblimet e premtuara, në mënyrë që të shmanget falimentimi i tyre
